Sot me date 26 Mars 2009, pranë ambienteve te Fondit Shqiptar te Zhvillimit u organizua “Workshop”-i një ditor për prezantimin e fazës përgatitore te programit “Furnizimi me ujë i zonave rurale”. Ky eshte nje program i Qeverise Shqiptare, qe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga një kredi me vlere 9.75 milion Euro e ofruar prej KfW-se. Programi konsiston ne ndërtimin e rreth 40-50 ujësjellësve rural duke kontribuar ne përmirësimin e jetesës se 40.000-50.000 banoreve.
Projekti shtrihet ne qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër te njohura si zona me nivel te larte te varfërisë, me një nivel shume te ulet te cilësisë se jetës si dhe me mungesa te theksuara ne infrastrukturën publike dhe shërbimet qe lidhen me to. Këto janë nder shkaqet kryesore qe kane stimuluar një lëvizje te vazhdueshme te popullsisë nga këto zona drejt qendrave te mëdha urbane.
Ne takim ishin te pranishëm përfaqësues te Ministrisë se Financave, përfaqësues te larte te KfW-se, Fondit Shqiptar te Zhvillimit, Drejtorisë se Përgjithshme te Ujësjellës Kanalizimeve, Shoqatës se Komunave si edhe te aktore te tjerë te përfshirë ne realizimin e këtij projekti.
Gjate fjalës se tij, drejtori ekzekutiv i FSHZH-se, Z. Benet Beci theksoi se: “FSHZH nga viti 1999 deri me 2006 ka implementuar 80 projekte infrastrukturore dhe sociale te financuara nga KFW ne tre programe te ndryshme me vlere totale 9.5 milion Euro. Ky program i ri është ndërtuar per t’iu përgjigjur nevojave baze njerëzore te cilat përfshijnë ujë te pastër e te rrjedhshëm, kushte te mira shëndetësore dhe infrastrukture rurale.
Ne fjalën e tij zoti Salih Yilderim, përfaqësuesi i KfW-se, theksoi se: “Një komponent i rëndësishëm i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve te punonjësve tek Njësitë e Qeverisjes Vendore për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellësve pas realizimit. Vete-qëndrueshmëria e projekteve është risia qe sjell ky program dhe qe shkon jo vetëm për forcimin e kapaciteteve te pushtetit vendor, veçanërisht mbi menaxhimin e ujësjellësve rurale, por shton me tej kapacitetet dhe profilizimin e Fondit Shqiptar te Zhvillimit, si një agjenci ekzekutive ne mbështetje te qeverisjes vendore.
Ne takim u diskutuan gjithashtu element teknik te zbatimit te programit te cilat kane te bëjnë me përzgjedhjen e projekteve, prokurimin dhe implementimin e tyre, duke vene theksin tek garantimi i transparencës se procesit, pjesëmarrjes se komunitetit dhe cilësisë teknike.